Edukimi në Vazhdim është një proces i rëndësishëm për profesionistët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT), që u mundëson atyre të përditësojnë dijet dhe aftësitë për të përmbushur më mirë nevojat e pacientëve dhe për të zhvilluar karrierën e tyre profesionale.

 

Objektivi ynë

Objektivi ynë është përmirësimi i cilësisë së kujdesit shëndetësor përmes zhvillimit të standardeve dhe edukimit të vazhdueshëm të stafit.

Në QSUNT zhvillohen leksione, seminare dhe workshope për stafin infermieror, mjekësor, farmacistët dhe profesionistët psiko-socialë. Strukturat përkatëse vlerësojnë dhe identifikojnë temat më të rëndësishme, duke marrë parasysh propozimet e stafit. Më pas, hartohet programi i edukimit në vazhdim, ku përcaktohen temat, datat dhe lektorët e përzgjedhur.

Plani Vjetor i Edukimit në Vazhdim synon të mbështesë dhe fuqizojë zhvillimin profesional të stafit, duke krijuar kushte që ata të marrin pjesë në aktivitete edukative në përputhje me nevojat e tyre profesionale. Cilësia e shërbimeve shëndetësore lidhet ngushtë me përgatitjen e stafit, ndaj QSUNT i kushton një rëndësi të veçantë trajnimit të vazhdueshëm.

Certifikimi dhe Kërkesat Ligjore

Aktivitetet e edukimit në vazhdim në QSUNT janë të certifikuara nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Ato zhvillohen në përputhje me:

  • Ligjin Nr. 10 107, datë 30.3.2009 “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”
  • VKM Nr. 418, datë 04.07.2018, që përcakton kriteret dhe procedurat për akreditimin e aktiviteteve edukative për profesionistët e shëndetësisë.

Përveç përfitimeve profesionale, profesionistët e shëndetësisë kanë detyrimin të marrin pjesë në këto aktivitete për të plotësuar kërkesat e certifikimit dhe ri-licencimit.