Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare është organi i vetëm ekzekutiv që nën mbikëqyrjen e bordit drejton dhe organizon veprimtarinë mjekësore, financiare, administrative dhe teknike të kësaj qendre.
Përbërja e Drejtorisë së QSUNT
- Drejtori i Përgjithshëm
- Zv/ Drejtorë të Përgjithshëm (3)
Detyrat e Drejtorisë së QSUNT
Drejtoria e Përgjithshme siguron drejtimin administrativ dhe institucional të QSUNT. Drejtoria e QSUNT drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm. Ajo menaxhon aktivitetin e përgjithshëm të spitaleve, programon orientimet strategjike dhe siguron zbatimin e tyre.
- Harton Projekt-Statutin dhe rregulloret e brendshme të QSUNT në përputhje me ligjet në fuqi.
- Në bashkëpunim me shërbimet e QSUNT harton strukturën e shërbimeve të QSUNT.
- Propozon strukturat dhe normativat e personelit të lartë, të mesëm dhe jo mjekësor.
- I paraqet Bordit problemet e shërbimit shëndetësor dhe tekniko-administrativ.
- Drejton formimin tekniko-profesional të personelit të lartë dhe të mesëm të institucionit.
- Miraton projektet që u propozohen Spitaleve Universitare nga OJQ-të.
- Analizon treguesit tekniko-financiarë të çdo tremujori.
- Informon Bordin mbi aktivitetin mjekësor dhe tekniko financiar të spitalit.
Drejtori i Përgjithshëm i QSUNT
Emërohet nga Këshilli i Ministrave, bazuar në Vendimin e Qeverisë Nr. 70, datë 15.02.2001. Drejtori i Përgjithshëm i QSUNT është titullari më i lartë ekzekutiv, drejtues, organizues dhe kontrollues i të gjithë veprimtarisë së kësaj qendre dhe ka këto kompetenca:
- Drejtori i Përgjithshëm i Institucionit përfaqëson QSUNT në të gjitha nivelet: me eprorët, me të barabartët dhe me të tretët.
- Drejtori i Përgjithshëm është Kryetar i Entit Prokurues të QSUNT si dhe Kryetar i Komisionit Kombëtar Ndërspitalor për trajtimin e shtetasve shqiptarë të sëmurë që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit.
- Siguron zbatimin e statutit dhe rregulloreve të brendshme të QSUNT dhe ka autoritet administrativ dhe institucional mbi të gjithë personelin.
Zv/Drejtorët e Përgjithshëm
Emërimi dhe lirimi i tyre bëhet nga Ministri i Shëndetësisë, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të QSUNT. Drejtori i Përgjithshëm në mënyrë të drejtë ndan aktivitetet që do të mbulojë secili prej tyre, i cili konsiston në:
- Organizimin e aktivitetit profesional dhe tekniko-shkencor të spitalit.
- Në bashkëveprim me Shefat e shërbimeve, përgjigjen për kualifikimin profesional e shkencor të mjekëve dhe personelit të mesëm mjekësor.
- Organizojnë dhe drejtojnë punën e qendrës së Statistikës Mjekësore në QSUNT.
Drejtori dhe Sektorët
Për efekt të drejtimit dhe menaxhimit të QSUNT funksionojnë:
- Drejtoria e Burimeve Njerëzore;
- Drejtoria e Performancës Spitalore;
- Drejtoria Juridike;
- Drejtoria Ekonomike dhe Planifikimit Financiar;
- Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse;
- Drejtoria e Shërbimit Farmaceutik;
- Drejtoria e IT dhe Inxhinierisë Klinike.
