Shërbimi i Kirurgjisë së Përgjithshme

Shërbimi i I° Kirurgjisë së Përgjithshme

QSUT - Qendër Referimi e Nivelit të Lartë

Rreth Nesh

Shërbimi i I° Kirurgjisë së Përgjithshme në QSUT është shërbim themelues i Kirurgjisë Shqiptare. Ndër vite nga ky shërbim janë formuar nëndegë të rëndësishme si Reanimacioni kirurgjikal, Kardiokirurgjia, Kirurgjia Vaskulare, Ortopedia, Kirurgjia plastike dhe rikonstruktive etj.

Për shërbimin e I° të Kirurgjisë së Përgjithshme ndër vite, kanë dhënë kontribut të shquar dhe drejtuar Klinikën Prof. Petrit Gaçe, Prof. Rushen Golemi, Prof. Gazmend Velçani, Prof. Medi Agolli dhe në veçanti, për një periudhë mjaft të gjatë Prof. Etmont Ҫeliku.

Sot, Shërbimi i 1° i Kirurgjisë së Përgjithshme drejtohet nga Prof. Arvin Dibra.

Aktiviteti i Shërbimit

Shërbimi i 1° i Kirurgjisë së Përgjithshme në aktivitetin e përditshëm kryen operacione të planifikuara si dhe ato të Urgjencës Kirurgjikale të QSUT. Mjekët e Shërbimit shërbejnë në konsultat ambulatore pranë Qendrës së Konsultave çdo ditë duke kryer rreth 15 vizita/ditë.

Konsultat ambulatore vleresojnë dhe përkatisin për trajtim pacientët e referuar nga kirurgët e poliklinikave të Tiranës, ata të spitaleve rajonale e bashkiake si dhe pacientet e paraqitur direkt për vlerësimin tonë.

Mësimdhënia

Mjekët e Shërbimit janë të angazhuar me mësimdhënie për studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Mjekësisë në lëndën "Semiotika Kirurgjikale" dhe njëkohësisht trajnojnë për katër vite kirurgët e ardhshëm në proçesin e specializimit te tyre në Programin e Studimit afat gjatë ne Kirurgji të Përgjithshme etj..

Janë pjesë e stafit të Shërbimit tre pedagogë me kohë të plotë pranë Universitetit të Mjekësisë Tiranë (UMT) dhe 6 pedagogë me kohe të pjesëshme.

Kërkimi Shkencor

Stafi i Shërbimit tonë kontribuon në mënyrë të vazhdueshme në jetën shkencore dhe në administrimin e UMT. Aktualisht Rektori i Universitetit është Prof. Dr. Xheladin Draçini, Kirurg dhe Pedagog me kontribut të shquar i Shërbimit tone.

Stafi mjekësor angazhohet dhe merr pjesë në aktivitete shkencore si brenda dhe jashtë vendit dhe një pjesë e mire e mjekëve tanë, janë antarë dhe kontribues me punime shkencore në Shoqata Kirurgjikale dhe në Revista shkencore ndërkombëtare te specializuara te kirurgjisë dhe anestezi – reanimacionit.

Puna e këtij shërbimi çon drejt një bashkëpunimi të ngushtë veçanërisht me Shërbimin e Anestezi-Reanimacionit ku katër mjekë të këtij Shërbimi janë përbërës efektiv te Stafit të Klinikës tonë.

Statistika dhe Infrastruktura

Në këtë shërbim trajtohen mbi 2500 pacientë në vit me diagnoza nga më të thjeshtat deri tek ato me komplekse që njeh kirurgjia moderne.

Aktualisht Shërbimi ka një pavion modern me 30 shtretër, 3 salla operacioni dhe akses në Reanimacionin kirurgjikal dhe atë qendror të QSUT.

Puna jonë nuk do të ishte e mundur pa stafin infermieror dhe mbështetës, në pavion dhe në kompleksin operator që, me një profesionalizëm të spikatur dhe një etikë të admirueshme është një komponent themelor i shërbimit cilësor shëndetësor që i ofrojmë pacientëve tonë.

Specialitete dhe Shërbime

Ky shërbim është pararojë e kirurgjisë shqiptare dhe qendër referimi e nivelit me të mirë shqiptar në ndërhyrje të kompleksitetit të lartë si:

  • Rezeksioni i ezofagut për kancer dhe sëmundje beninje në të gjitha nivelet
  • Rezeksioni i stomakut, zorrës së hollë dhe asaj të trashë për kancer apo patologji të tjera në të gjitha nivelet
  • Rezeksioni i pankreasit për kancer në të gjitha nivelet
  • Rezeksione të mëlcisë dhe rrugëve biliare për sëmundje tumorale dhe jo tumorale në të gjitha tipologjitë
  • Kirurgji endokrine për sëmundje tumorale dhe jo tumorale të gjëndrrave Tiroide, Paratiroide dhe Mbiveshkore
  • Kirurgjia onkologjike e hapësirës retroperitoneale dhe e indeve të buta etj.

Bordi i Tumoreve

Duke pasur prioritet cilësinë më të lartë të shërbimit ndaj pacientëve, një herë në javë, në ambjentet e shërbimit tonë, organizohet Bordi i Tumoreve me pjesëmarrjen e të gjithë mjekëve të shërbimit si dhe specialistëve Onkologë, Radiologë dhe Anatomo-patologë.

Kirurgjia Laparoskopike

Kirurgjia laparoskopike e kryer në Klinikën tone që në vitet 90, ka pësuar një hov zhvillimi nga viti 2018 me kontributin e spikatur të Prof. Arvin Dibrës dhe disa mjekëve të tjerë.

Shërbimi ynë ofron tashmë ndërhyrje kirurgjikale të laparoskopisë dhe endoskopisë të avancuar që përfshijnë të gjithë traktin gastro-intestinal dhe me gjere. Trajtohen me laparoskopi sëmundje të ezofagut dhe stomakut si hernia hiatale, akalazia dhe tumoret stromale të stomakut, kanceri i zorrës së trashë me vendosje në të gjithë gjatësinë e tij nga cekumi deri në pjesën fundore të rektit.

Proçedura Endoskopike

Njëkohësisht mjekët e shërbimit janë të specializuar në proçedura endoskopike të avancuara si të traktit të sipërm dhe atij të poshtëm digjestiv duke ofruar proçeduar të tilla si: vendosje stenti ezofageal dhe rektal për ngushtime të ndryshme, vendosje PEG-u endoskopik (gastrostome) për ushqyerje, heqje e polipeve të stomakut dhe zorrës së trashë.

Shërbimet e Ofruara

  • Kirurgjia onkologjike e hapur dhe mini invazive e aparatit tretës, endokrin, dhe retroperitoneumit etj.
  • Kirurgjia e hapur dhe mini invazive aparatit tretës në të gjitha nivelet,
  • Kirurgjia e hapur dhe mini invazive gjendrave endokrine
  • Kirurgjia e hapur dhe mini invazive paretit
  • Kirugjia e gjirit
  • Kirurgjia e urgjencës
  • Kirurgji të tjera që referohen ne kirurgjinë e përgjithshme.

Shërbimi Ambulator

Konsultat ambulatore kryhen çdo ditë duke filluar në orën 10:00 pranë Qendrës së Konsultave Ambulatore në QSUNT.

Mjeku Ditët Orari
Dr. Arvit LLazani E Hënë 10-12
Dr. Drini Shehu E Hënë 12-14
Prof. Asc. Myzafer Kaçi E Martë 10-12
Dr. Astrit Xhemali E Martë 12-14
D. SH. M. Alma Llukacaj E Mërkurë 10-12
Dr. Inid Jorgoni E Mërkurë 12-14
Prof. Asc. Rovena Bode E Enjte 10-12
Dr. Erjon Stojku E Enjte 12-14
Dr. Denis Godaj E Premte 10-12
Prof. Asc. Henri Kolani E Premte 12-14

Stafi Ynë

Prof. Dr. Arvin Dibra

Shef Shërbimi i Kirurgjisë së Përgjithshme I

Prof. Dr. Xheladin Draçini

Prof. Asc. Myzafer Kaçi

Prof. Asc. Henri Kolani

Prof. Asc. Rovena Bode

D. SH. M. Alma Llukaçaj

Dr. Ardian Nelaj

Dr. Astrit Xhemali

Dr. Inid Jorgoni

Dr. Armand Hoxha

Dr. Arvit Llazani

Dr. Erjon Stojku

Dr. Drini Shehi

Dr. Denis Godaj

Mjekët Anestezistë

Prof. Asc. Majlinda Naco

D.Sh.M. Ana Mandi

Dr. Bilbil Rakipi

Dr. Marsel Dhima

Stafi ynë konsideron një vlerë të shtuar kontributin e jashtëzakonshëm që japin në punën tone Mjekët Specializantë të Kirurgjisë të Përgjithshme gjatë katër viteve të qëndrimit të tyre me ne. Ato në traditën tone mbeten dhe konsiderohen si bijtë e Klinikës kudo që të ushtrojnë profesionin tone sa të vështirë aq të mrekullueshëm!